Tuesday, May 28, 2013

Presidenti më i varfër në botë



Quhet Jose ‘Pepe’ Mujica, president i Uruguajit, i njohur ndryshe si kryetari i shtetit më i varfër në botë.
Mujica, 78 vjeç, anëtar i grupit të armatosur Tupamaros në vitet ’60 dhe president prej 2010-ës, është i njohur për stilin mëse modest të jetesës.
Ai zotëron vetëm një “Volkswagen” të vjetër dhe jeton me bashkëshorten, senatoren Lucia Topolansky, në një fermë të vogël në rrethinat e Montevideos.
Presidenti uruguajan është bërë i famshëm edhe sepse hapi dyert e rezidencës zyrtare për të pastrehët, për t’u mbrojtur nga i ftohti gjatë stinës së dimrit.
Gjithashtu, në rast nevoje ai ka vënë në dispozicion për endacakët edhe një pjesë të pallatit presidencial Suarez y Reyes.
24 majin e kaluar një nënë me fëmijën e saj ishin të parët që përfituan nga bujaria e kreut të shtetit, edhe pse më vonë atyre iu gjet një sistemim tjetër.
Mujica e ka futur rezidencën presidenciale në një listë ndërtesash publike për t’u përdorur në raste emergjencash, pasi në dimrin e 2011-ës pesë të pastrehë humbën jetën nga i ftohti.
Gjithashtu, ai mban për vete vetëm 10 për qind të rrogës prej 800 eurosh, duke ua dhënë pjesën tjetër lëvizjeve apo shoqatave që ndihmojnë të varfërit.
Ndoshta shembullin e tij duhet ta marrin liderë të vendeve të tjera të botës, përfshirë edhe Shqipërinë, të cilët pavarësisht varfërisë së popullsisë jetojnë në shtëpi moderne dhe udhëtojnë me automjete luksoze. /tch/

No comments:

Post a Comment